Çiftelia është vegël muzikore popullore me dy tela, që i bie me pendë. Ka tri pjësë: kupa, kapaku dhe bishti, madhësitë dhe trajtat ndryshojnë sipas krahinave. Tipi kryesor i çiftelisë është me dy tela, ka edhe nëntipa me tre dhe katër tela. Bishti është i ndarë në 11 deri 13 perde. . Penda zakonisht nxirret nga lëkura e trungut të qershisë. Loja përqendrohet në telin e parë, teli i dytë përdoret si mbështetje ritmike harmonike në trajtën e isos. Ka edhe raste që teli i dytë i çiftelisë përdoret për kalimet e vështira melodike. Çiftelia është përdorur tradicionalisht kryesisht në Kosovë, krahinat e Veriut, Veri-Lindjës, por zbret deri në krahinat e Shqipërisë së Mesme dhe pjesërisht në disa krahina të Jug-Lindjes së Shqipërisë.
Vegël muzikore popullore zakonisht me pesë tela. Ka kasën të punuar nga një copë e vetme druri dhe bishtin e gjatë me 14 perde. Tingujt e sharkisë janë të thellë dhe kumbues. Me sharkinë shoqërohen një pjesë e mirë e këngëve lirike dhe epike, të kënduara nga burrat, si dhe valle të ndryshme popullore. Shquhet si një ndër veglat më komplekse, përdoret e vetme ose në formacionet orkestrale si vegël kryesore. Loja përqendrohet kryesisht mbi telin e parë, dy të tjerët mbajnë iso. Në hyrjet dhe fundet e frazave përfshihet edhe teli i tretë, duke i dhënë tonin nënbazal. Sharkia bashkohet me vegla të tjera zakonisht me çiftelinë, fyellin, dajren. Sharkia është e përhapur në Tropojë, Kukës,Dibrer, ndërsa treva kryesore e saj është Gjakova me rrethet. Gjendet edhe në zonat e Komunës së Pejës, Drenicës, Prishtinës, Prizrenit, në Podrimë si dhe në zonat e Hasit, Shkodrës.
Lahuta është një vegël popullore me hark. Trupi i lahutës bëhet nga një copë e vetme druri (panjë, arrë, etj). Kasa ka trajt gjysëm sferike. Harku i lahutës bëhet zakonisht nga druri i thanës. Timbri i lahutës është hundor dhe përshtatet shumë mirë me përmbajtjen e këngëve epike. Lahuta është e përhapur në Malësinë e Madhe, Dukagjin, në Malësinë e Gjakovës. Ndeshet edhe në krahinat poshtë Drinit si në Pukë, Dibër, Mat dhe aty këtu në disa fshatra të Shqipërisë së Mesme.
Vegël muzikore popullore me frymë e përhapur në të gjitha krahinat, e njohur sidomos si vegla e barinjëve. Madhësia e fyellit ndryshon sipas llojeve, nga 18 cm (fyelli i shkurtër) deri 90 cm (kavali) Fyelli ndërtohet prej drurit të bushit, të panjës, të arrës, por edhe nga gypa metalikë, sidomos prej tunxhi e bronzi. Fyelli përdoret kryesisht nga burrat. Repertori i fyelltarëve përbëhet nga motive të mirënjohura këngësh e vallesh. Tingujt e fyellit kombinohen bukur dhe me të zileve të bagëtive gjatë kullotës. Shpesh bashkohen dy fyej, njëri prej tyre luan melodinë dhe tjetri mban iso.
Vegël muzikore popullore e përbërë nga dy tyta të gdhendura në një copë të vetme druri (arrë, panjë, bushi) me trajtën e shkronjës “A”. Cylja Dyjare është një zhvillim i mëtejshëm i fyellit të zakonshëm me sqep dhe tingujt i nxjerr njësoj si ai duke i fryrë, quhet ndryshe edhe fyell i dyfishtë. Shkon nga 25 cm deri në 55 cm. Cylja Dyjare është vegël polifonike: tyta e dorës së djathtë ka 4 vrima sipër dhe prapa 1, ndërsa tyta tjetër ka vetëm 3 vrima paralele me të tytës tjetër, e para përdoret për të luajtur melodinë, ndërsa tjetra kontramelodinë. Përdoret kryesisht nga barinjtë në Kurvëleshin e Sipërm dhe të Poshtëm, në Radhimë (Vlorë), Kardhiq (Girokastër). Zbulimet arkeologjike në territorin e Ilirisë së Jugut japin të dhëna për ekzistencën e saj që në shekullin e V-VI para erës sonë.
Është një instrument muzikor që përbëhet nga shakulli prej lëkure bagëtie të vogël, buçalla e isos dhe pipa e notave. Gajdja tek shqiptarët është e lidhur ngushtë me kultin e blegtorisë. Për këtë arsye, repertori i gajdes përkon ngushtë me këtë sferë të jetës shqiptarë. Që në kohët e vjetra ilirët këndonin këngë lufte të shoqëruara me fyej e gajde. Sot, gjeografikisht gajdja gjendet e përhapur në Shqipërinë e Jugut, në rrethet e Beratit, Kuçovës, Pogradecit, Gramshit,Devollit, Korçës, Librazhdit. Përdoret si vegël solistike në pjesë të ndryshme,kryesisht kaba, por edhe si vegël shoqëruese në ansamble me vegla popullore kryesisht në funksion të melodisë dhe veçanërisht të isos.
Instrument që përdoret në muzikën popullore shqiptare. Po ashtu ky instrument përdoret edhe nga shqiptarët në Maqedoni ndër të cilët është i njohur edhe me termet "dahire" dhe "tagiar". Dajra përbëhet nga një kornizë prej druri të rrumbullakët, mbi të cilën është tendosur një lëkurë e hollë, zakonisht e gomarit. Dajra përdoret kryesisht në zonat e veriut dhe të jugut të Shqipërisë, si në muzikën e dasmave, festive, dhe ritualeve të ndryshme.